Tatimet: Afati për deklaratat vjetore 2025 deri më 31 mars 2026
Administrata Tatimore ka rikujtuar të gjithë tatimpaguesit për dorëzimin në kohë të deklaratave tatimore vjetore për vitin 2025, duke theksuar se afati përfundimtar është data 31 mars 2026.
Institucioni u bën thirrje individëve dhe bizneseve që të shmangin vonesat dhe të kryejnë deklarimin përpara ditëve të fundit, kur zakonisht sistemi përballet me fluks të lartë përdoruesish.
Detyrimi përfshin disa kategori tatimpaguesish. Personat fizikë që ushtrojnë aktivitet duhet të dorëzojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave nga Biznesi (TAPB), personat juridikë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave të Korporatës (TAK), ndërsa individët Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP/DIVA).
Një risi për këtë vit është unifikimi i afatit për të gjitha këto deklarata, i cili vendoset për herë të parë në një datë të vetme, 31 mars 2026. Ky ndryshim synon të thjeshtojë procesin dhe të rrisë qartësinë për tatimpaguesit.
Administrata Tatimore nënvizon rëndësinë e deklarimit të hershëm, duke argumentuar se kjo shmang mbingarkesën e sistemit në ditët e fundit dhe ul rrezikun e penaliteteve për mosdeklarim apo deklarim të vonuar. Po ashtu, deklarimi në kohë mundëson edhe kryerjen në afat të pagesave të detyrimeve tatimore që mund të lindin.
Institucioni thekson se përmbushja e këtij detyrimi është pjesë e respektimit të legjislacionit tatimor në fuqi dhe u bën thirrje tatimpaguesve të planifikojnë paraprakisht procesin e deklarimit. /ekofin.al